UAFK është organizatë profesionale që ka për mision të kontribuoj në zhvillimin e artit kinematografik në Kosovë, si dhe të mbrojë dhe avancoj pozitën e krijuesve të artit kinematografik në Kosovë. më shumë

“Agnus Dei” në festivalin më të madh të filmit në Azi

Prishtinë, 16 nëntor - Përderisa në vendin ku është prodhuar nuk zgjon interesim te publiku, një festival fort i njohur në botë e ka futur në garë. Filmi “Agnus Dei”, me tekst dhe regji të Agim Sopit, është në garën kryesore të “International Film Festival of India”. Festivali që mbahet në mes të datave 20 deri më 30 nëntor, konsiderohet si më i madhi në kontinentin e Azisë, dhe në mesin e dhjetë festivaleve më të famshme në botë. Sivjet ky festival organizon edicionin e 43-të.

“Filmi është në konkurrencë të programit kryesor ‘World Cinema’”, ka treguar regjisori Agim Sopi, teksa ka shtuar se nuk është fort optimist për ndonjë çmim nga ky festival i kategorisë A.

“Konkurrenca është shumë e madhe, sepse ky festival shfaq filmat që kanë qenë fitues të një tjetër festivali të madh, ose që për një meritë të veçantë hyn në këtë garë. Nuk është fort reale të presim ndonjë çmim”, ka thënë Sopi.

Filmi “The Consul of Bordeaux” nga Portugalia i regjisorëve Franisco Manso dhe Joao Correa do të jetë ai që do të hapë ekranin e madh të festivalit që mbahet në Goa. E kapak, në ditën e fundit të këtij muaji do t’i jepet me filmin “The Lady” të Luc Besson. Ndryshe, 12 mijë veta janë ftuar ose janë akredituar që të ndjekin festivalin.