UAFK është organizatë profesionale që ka për mision të kontribuoj në zhvillimin e artit kinematografik në Kosovë, si dhe të mbrojë dhe avancoj pozitën e krijuesve të artit kinematografik në Kosovë. më shumë

Ministri Krasniqi takoi drejtuesit e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës

Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës është një nga mekanizmat e rëndësishëm që duhet të ketë rol të veçantë në zhvillim e kinematografisë së Kosovës si dhe lidhjes së bashkëpunimit me komunitete tjera të filmit në botë. Kështu tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, në takimin që ka pasur me kryetarin e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, z. Lirak Çelaj. Ministri Krasniqi vlerësoi se funksionalizimi i plotë i UAFK-së është hap i rëndësishëm për komunitetin artistik dhe në përgjithësi për jetën kulturore në vend.

Ai premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së në planet e Unionit si dhe tha se në çdo fazë, sidomos në përgatitjen e legjislacionit për kinematografi, UAFK-ja do të jetë partneri kryesor. Ai e njoftoi z. Çelaj me punën që është bërë në ndryshimin e Ligjit për Kinematografi, duke thënë se tashmë po pritet që një ekspert ndërkombëtar të japë rekomandimet e veta dhe më pas draft-ligji të jetë në diskutim bashkë me kryesinë e Unionit por edhe më gjithë komunitetin artistik në vend. Ministri deklaroi se tashmë kultura dhe komuniteti artistik është i pavarur në punën e vet dhe se MKRS është vetëm një ndihmues dhe lehtësues i tyre.  Ministri Krasniqi e ka njoftuar kryetarin e UAFK-së edhe me zhvillimet tjera për kulturë, çështje që kanë të bëjnë me teatrin, subvencionimin e projekteve kulturore, si dhe plane tjera në këtë drejtim.

Nga ana e tij, kryetari i UAFK-së, z. Lirak Çelaj, e njoftoi ministrin Krasniqi me punën që po bën kryesia e re e Unionit, duke thënë se ka një entuziazëm të madh tek anëtarët që të punohet edhe më shumë, dhe të jenë një shembull i mirë i organizimit të artistëve. Ai vlerësoi mbështetjen që MKRS ka dhënë për filmin dhe gjithë projektet kulturore. Më tutje, Çelaj shtoi se UAFK-ja do të jetë gjithnjë në gatishmëri që të japë kontributin e vet për zhvillim edhe më të madh të kinematografisë, si në aspektin e përgatitjes se infrastrukturës ligjore, funksionimit institucional si dhe lidhjes së bashkëpunimit me vendet tjera.

Ministri Krasniqi dhe z. Çelaj u pajtuan të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm në projektet e ardhshme që do të ketë komuniteti artistik.